NBA, “galaksia” Durant-Harden-Irving nuk i shpëton dot humbjeve!

Si i bëhet kur nuk mjaftojnë as 3 nga yjet më të mëdhenj të NBA-së? Kevin Durant që shënoi 38 pikë, Xhejms Harden që shtoi 21 dhe, më e rëndësishmja, Kajri Irving që u kthye nga dëmtimi dhe realizoi 37. Me të tillë basketbollistë sërish Bruklin Nets nuk po arrin ta tregojë veten ashtu siç dëshiron dhe siç pritet prej tij, kandidate e madhe për titullin kampion. Humbja në Arenën e një ekipi jo aq shumë të vlerësuar sot si Klivlendi nuk e ndihmoi aspak imazhin e njujorkezëve.

Dakord, u deshën dy kohë shtesë dhe u luajt jashtë fushe, por një mëtues i kurorës duhet të dijë të triumfojë kudo, madje të rreshtojë fitoret. Ish-ekipi i Lebron Xhejmsit pati krenarinë ta mbronte nderin në shtëpi, duke u mbështetur te mbrëmja e madhe e të riut Kollin Sekston. Në moshën 22-vjeçare, dhe i gjatë vetëm 1.85 metra, ai kapërceu gjigandët duke arritur rekordin e karrierës, 42 pikë, si dhe 5 topa në tabela, 5 asistë, 2 vjedhje topi e një bllokim gjuajtjeje.

U deshën 58 minuta kohë të kronometruar për të përcaktuar fituesin, që ishte Klivlendi me shifrat 147-135. Bruklin, megjithë yjet e saj të shkëlqyer Durant-Irving-Harden, ka pësuar 7 humbje deri tani në sezonin e rregullt duke qenë vetëm në vendin e pestë në Konferencën Lindore.

Sfidanti.al