NBA, Feniksi fiton një duel direkt për titull ndaj Fialdelfias!

Ishte një duel që mund ta shohim në Finalen e Madhe të NBA-së. Një Feniks-Filadelfia është maksimumi që mund të ofrojë basketbolli amerikan, dhe përfundoi me fitoren e Sansëve 114-104. Devin Buker ishte më aktivi i vendasve duke shënuar 35 pikë në 35 minuta, por gjithsesi atij iu desh ndihma e madhe e veteranit Kris Pol dhe e lojtarit qendër Deandre Ejton. Pol shënoi 19 pikë e sidomos shkëlqeu me 14 asistë, ndërsa Ejton pati 14 pikë e 12 topa në tabela. Kjo bëri të mundur që të përballohej cilësia e lartë e Filadelfias, ndihmuar padyshim nga loja e fortë në mbrojtje.

Edhe pse Zhoel Embijd ishte shënuesi më i mirë i ndeshjes me 37 pikë, sërish gjigandi shpesh u detyrua të gabonte nga distanca. Xhejms Harden, këtë herë, nuk mundi të jepte kontributin e zakonshëm duke gabuar që të gjitha gjuajtjet për 2 pikë, e duke shënuar vetëm 2 tripikësha. Ai e përfundoi ndeshjen me 14 pikë, 7 topa në tabela e 9 asistë. Dueli në Feniks ishte i rëndësishëm sepse ishte një sfidë direkte për titull, mes dy ekipeve me pretendime të mëdha këtë sezon.

Vlen të theksohet se kjo ishte fitorja e dytë e ekipit nga Arizona ndaj këtij rivali. Kur duhen edhe pak ndeshje deri në plej of, Feniksi e ka të sigurt vendin e parë si skuadra më e mirë e NBA-së, duke kryesuar bindshëm në Perëndim, ndërsa Filadelfia është e katërta në Lindje, por thuajse e barabartë me vendin e parë.

Sfidanti.al