NBA, familja Buss shet Lakers për shifrën rekord të 10 miliardë dollarëve

Ishte viti 1979 kur Jerry Buss bleu Los Angeles Lakers nga Jack Kent Cooke për plot 67.5 milionë dollarë. Sot, 46 vite më vone dhe plot 12 vite nga vdekja e pronarit legjendar, familja Buss nuk ka më shumicën e aksioneve të Lakers. Sipas disa medieve amerikane familja Buss ka gjetur një akord me Mark Walter, shefin e ekzekutivit të “TWG Group”, për të shitur shumicën e aksioneve të ekipit kalifornian për plot 10 miliardë dollarë. Palët kanë rënë dakord që të mos ndryshojnë gjithçka menjëherë duke lënë Jeanie Buss në krye të ekipit edhe për disa muaj. Kthimi i “TWG Group” në aksioneren kryesore të Lakers ishte një surprizë e madhe edhe pse përfshirja e këtij grupi në botën e sportit nuk është një risi. Në 2021 ky grup bleu disa askione të Lakers ndërsa ka investuar edhe në bejsboll pasi ka akskione në ekipin e Dodgers. Gjithashtu ky grup zotëron edhe një shifër aksionesh të ekipit londinez të Chelsea-t. “TWG Group” në vitet e fundit ka investuar edhe në botën e automobilizmit pasi nëpërmjet Cadillac do të jetë pjesë e Formula 1 duke nisur nga 2026.

sfidanti.al