NBA dhe Los Anxhelos kanë një pretendent të ri, Klipers “mund” Lejkërsat!

Skuadra e momentit në basketbollin amerikan quhet Los Anxhelos Klipers. Suksesi i fundit, arritur ndaj Bruklin Nets bëri që ajo të mbetet në krye të renditjes, me 10 suksese dhe vetëm 1 humbje.
Suksesi ishte i thellë, 127-95, dhe u ndihmua nga paraqitja shumë e mirë e lojtarit-qendër, Blejk Grifin, që realizoi 32 pikë. Skuadra nga Kalifornia ka lënë pas, për momentin, ekipe me më shumë emër dhe që vlerësohen më lart sesa ajo.
Klipers kryeson Konferencën Perëndimore, ndërsa e vetmja skuadër që mund të matet me të është kampionia Klivlend, që kryeson Konferencën e Lindjes.
Me basketbollistë të tillë si Kris Pol, Blejk Grifin apo DeAndre Xhordan, shanset janë që kalifornianët të bëhen më në fund pretendentë për titull kampion.
Gjatë gjithë historisë, skuadra kryesore në Los Anxhelos ka qenë Lejkërs, por tani realiteti është ndryshe.