Nuk do të heshtin për të luftuar racizmin, madje premtojnë se do të ngrenë zërin për të mbrojtur të drejtat e njerëzve me ngjyrë, por gjithsesi kanë vendosur të kthehen në parket. Basketbollistët e NBA-së patën një takim të dytë mes tyre, pasi mbledhjes së stuhishme të paradites së djeshme, dhe vendosën se gjëja më e mirë është që sezoni të vazhdojë. Pra, ndeshjet e plej ofit do të luhen duke nisur që sonte apo që nesër në darkë, por do të rifillojnë. Nuk u luajtën mbrëmë as Juta-Denver dhe Dallas-LA Klipers të raundit të parë, dhe as ndeshja e parë gjysmëfinale e Konferencës Lindore, Toronto-Boston. E gjitha kjo përkundër qendrimit të presidentit të SHBA-së, Tramp që akuzoi NBA-në se është kthyer në organizatë politike (sepse mbron të drejta njeriu!!!) dhe shtoi se “nuk e kuptoj se përse protestojnë”. Dikush, ndoshta duhet t’i thotë presidentit se protestojnë që policia të mos vrasë qytetarët në një mënyrë që në Amerikë nuk vriten as qentë e rrugëve! Një zë i fuqishëm kundër racizmit ka qenë dhe mbetet edhe Ljuis Hamilton, kampioni i botës në Formula 1, i cili i mbështeti, por deklaroi se ai vetë nuk do ta bojkotonte Çmimin e Madh të Belgjikës këtë fundjavë.
Sfidanti.al