Transferimet e fundit sollën shumë ndryshime. Denver Nagets shpreson të pretendojë titullin kampion në NBA falë edhe përforcimit të fundit, Aron Gordonit. Basketbollisti 25-vjeçar, i ardhur nga Orlando, shkëlqeu pikërisht ndaj ish-ekipit të tij, duke ndihmuar shumë në fitoren 119-109. Edhe pse nuk ishte e lehtë, dhe u desh një përmbysje, sërish duket se skuadra nga Kolorado më në fund ka potencialin e duhur për të sfiduar rivalët e mëdhenj si dy ekipet e Los Anxhelosit, Juta Xhazin apo pretendentët në Lindje si Filadelfia, Bruklin e Miluoki. Gordon shënoi 24 pikë e kapi 7 topa në tabela, duke qenë tepër i saktë në gjuajtjet nga loja.
Nuk mungoi ylli kryesor i Denverit, Nikola Jokiç, që është kandidat për çmimin e lojtarit të sezonit. Lojtari qendër nga Serbia iu afrua një tjetër tripëll dabëlli duke shënuar 17 pikë, kapur 9 topa në tabela e shërbyer plot 16 asistë. Nuk mund të mungonin edhe basketbollistët e rëndësishëm si Xhamal Marrej apo Majkëll Porter. Orlando ishte shumë e dobësuar me largimin e Gordonit dhe të Nikola Vuçeviçit që shkoi tek Çikago, por gjithsesi luftoi fort deri në fund. Me këtë fitore Denveri u ngjit në vendin e katërt në Konferencën Perëndimore, me pikë të barabarta me Klipersat, e duke pasur përpara vetëm Juta Xhazin dhe Feniksin.
Sfidanti.al