Rafael Nadali e vazhdoi dominimin e tij në turneun “Rolan Garos”, ndërkohë që trofeu më i fundit i solli atij edhe një shpërblim të madh financiar prej 2,2 milionë dollarësh. Në këtë mënyrë, ky as spanjoll bëhet tenisti i tretë në histori që, gjatë karrierës së vet, vetëm me shpërblimet e siguruara nga turnetë, arrin ta kalojë kufirin prej 100 milionë dollarësh. Me premion që mori në turneun e fundit “Rolan Garos”, ai arriti shumën e përgjithshme prej 100 milio dollarëve, duke iu bashkuar, kështu, në klubin e lartpërmendur Rozhe Federerit (116 milionë) dhe Novak Gjokoviçit (110,8 milionë).
Sa për të bërë dallimin mes tre tenistëve të lartpërmendur dhe tenistëve të tjerë, mjafton të përmendim faktin se Endi Marej ka arritur “vetëm” deri te shifra 60,8 milionë dollarë, ndërkohë që, midis legjendave të pensionuara të tenisit, mund të përmenden Pit Samprasi me 43 milionë dollarë, Andre Agasi me 31 milionë dhe Boris Bekeri me 25 milionë dollarë, kur këta të fundit dominonin në fushat e tenisit.
Në tenistin e femrave, më shumë përpara të tjerave ndodhet Serena Uiliams me 89,7 milionë dollarë, para motrës së saj, Venus, me 39,9 milionë dhe Maria Sharapovës me 30,8 milionë dollarë të fituar vetëm në turnetë e tenisit.
Sfidanti.al