Nadal provon rikthimin në fushë: Shpresoj të luaj në Barcelonë

Barcelona është paksa si shtëpia e vet për Rafael Nadalin. Në fushën katalane me dhe të kuq, tenisti nga Majorka ka fituar 12 herë, duke u bërë kështu rekordmeni i të gjitha kohërave, me më shumë fitore se kushdo tjetër. Për këtë arsye, ATP 500 i Barcelonës mund të rezultojë të jetë turneu i duhur për të bërë rikthimin e tij pas tërheqjes së detyruar nga Monte Carlo. Konfirmimi erdhi nga kampioni spanjoll i cili publikoi në rrjetet sociale një foto në fushën e Barcelonës, aty ku do të zhvillohet turneu nga data 15-21 prill. “Përshëndetje nga Barcelona. Stërvitja e parë…me shpresën për të qenë këtu këto ditë, përpara nisjes së turneut. Jam këtu për të parë si do të jem, me dëshirën për të provuar të luaj. E rëndësishme është të them se nuk dua të konfirmoj se do të luaj, por shpresoj. Të shikojmë”.

Kështu është shpjeguar Nadal që nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar për të ardhmen e tij. Mëngjarashi spanjoll nuk ka qenë në fushë që nga çerekfinalet në Brisbane, për shkak të problemeve fizike, të cilat ishin përkeqësuar para Indian Wells, aq sa u detyrua të anashkalonte turneun amerikan dhe ra në numrin 646 në renditjen botërore. Objektivi i tij tani është të rikuperohet dhe të marrë pjesë në Roland Garros, me shpresën për të mbajtur gjallë atë flakë kalimtare që do ta çonte në Lojërat Olimpike Verore të Parisit 2024.

sfidanti.al