Ka qenë drejtuesi i madh i kohëve të arta, në vitet kur makina e kuqe dominonte me Mikael Shumaherin, duke pasur në skuadër emra të tillë si Zhan Todt apo Ros Braun. Sot është krejt ndryshe dhe “La Gazeta delo Sport” interviston pikërisht Luka di Montezemolon, shefin e asaj kohe. “Do të kthehesha me vrap tek Ferrari, por e di se nuk kam shanse, – shprehet sot, në moshë veterani, – duhet të kenë kurajën që ta quajnë këtë sezon të humbur, por kam frikë se po rrezikojnë edhe vitin 2021 dhe 2022. Është problem organizimi, sepse Mateo Binoto është vetëm, është i ri dhe duhet të bëjë një punë që duhet ta bëjnë normalisht dy drejtues, duhet të merret edhe me pilotët”. Fjalët e Montezemolos kujtojnë ato të ish-shefit të Benetonit, dhe të Renosë, Flavio Briatore, që vlerësonte Binoton, por thoshte se ai kishte nevojë për ndihmë. Ferrari dështoi keq në Çmimin e Madh të Hungarisë, duke mbetur prapa Mercedesit, por duke qenë më dobët edhe se Red Bulli dhe se Rejsing Pointi.
Sfidanti.al