Ljuis Hamilton e di sesi titulli mund të fitohet apo të humbet për vetëm një pikë. Në 2007, anglezi u shpall kampion i botës në Formula 1, ndërsa në 2008 e humbi shansin dhe diferenca me rivalët Felipe Masa dhe Kimi Raikonen ishte vetëm 1 pikë. Edhe ky sezon mund të ndahet për fare pak sepse Maks Verstapen kryeson me vetëm 3 pikë më shumë sesa Hamiltoni, ndaj edhe skuadra Mercedes mund të jetë e detyruar të ndërhyrje në sprintin e së shtunës që vendos jo vetëm vendin e parë në prova dhe në nisje në Çmimin e Madh të Italisë, por edhe i jep 3 pikë fituesit. Provat e së premtes i fitoi Valteri Botas po i Mercedesit duke lënë pas Hamiltonin me vetëm 0.096 të mijtat, ndërsa Verstapen doli i treti. Shefi i Mercedesit, Toto Volf, thotë se “urdhërat e skuadrave nuk janë asnjë herë të bukura, sepse dëmtojnë njërin pilot, dhe ne nuk i pëlqejmë, por titulli mund të vendoset me vetëm një pikë ndaj mund të jemi të detyruar”. Botasi mund të urdhërohet t’i hapë rrugë Hamiltonit që ky të marrë 3 pikët e ndoshta Verstapeni të marrë vetëm 1 në pritje të garës së të dielës në Monza.
Sfidanti.al