Ljuis Hamilton e cilësoi makinën e tij të re, Mercedes, si një “bishë edhe më të fuqishme, më të madhe”, pasi provoi modelin me të cilin do të garojë këtë vit në Formula 1. Anglezi, ish-kampion i botës, bëri xhirot e para dhe u duk tepër i lumtur me atë që provoi. “Kjo makinë është më modernia dhe më kompleksja që unë kam parë ndonjëherë në Formula 1, – tha tri herë kampioni i botës, – kjo makinë është më e shpejtë dhe mund të kesh më shumë siguri në të, edhe kur kushtet e motit janë të këqia si këtu në Silverstoun”.
Mercedesi u provua në pistën e Çmimit të Madh të Anglisë, ndërsa sipas rregullave të reja, makinat janë më të gjera dhe më të fuqishme, pra këtë sezon priten kohë më të shpejta për xhiro. Hamilton e humbi vjet vetëm për pak titullin botëror, që e fitoi shoku i tij i skuadrës, Niko Rosberg, ndërsa këtë vit partner në skuadrën gjermane do të ketë Valteri Botasin, pilotin e ardhur nga Uilliamsi, që për momentin është një enigmë e vërtetë.
Sfidanti.al