Mekgregor mendon fitore të thellë, por ç’mendojnë kampionët për të?!

Konor Mekgregor nuk ka dyshime në përfundimin e duelit të tij të madh të radhës. Sfida e veçantë ndaj Flojd Mejuedhër Xhuniorit, një një përplasje të MMA-së me boksin, do të përfundojë me nokaut në favor të tij, sipas një murali që irlandezi ka në murin e shtëpisë së tij. Murali është porositur nga Mekgregor, ndërsa afron dueli i 26 gushtit në Las Vegas.

Gjithsesi, disa nga kampionët e boksit nuk kanë aspak mendim të mirë për këtë ndeshje “hibride”. Ish-kampioni absolut i peshave të rënda, Lenoks Ljuis, e quajti këtë luftë si “qesharake”. “Nuk mund ta marr seriozisht, – tha britaniku që ishte kampioni i botës në vitet e fundit të Tajsonit dhe në kohën e Holifildit, – unë nuk mund të parashikoj tjetër gjë, përveçse fitoren e Mejuedhërit. Amerikani është një kampion i vërtetë në peshën e tij, askush nuk mund ta prekë atë në boks, si mundet dikush tjetër të vijë ta sfidojë”?

Edhe kazaku i famshëm Genadi Golovkin (GGG) ka një mendim të përafërt. “Bëhet fjalë për një cirk që u siguron luftëtarëve miliona dollarë, por ashtu edhe organizatorëve – tha ai, – nuk ka asgjë tjetër. Nuk është ndeshje, por biznes. Konor nuk është boksier, por vetëm një actor, ndaj ata që duan të shohin shfaqje, le të shohin atë, ndërsa ata që duan të shikojnë ndeshje të vërtetë, të më shikojnë mua”. Golovkin, me bilanc 37-0 në peshat e mesme, do të ndeshet me meksikanin Kanelo, tri javë pas ndeshjes Mekgregor-Mejuedhër.

Sfidanti.al