Rozher Federer e Rafael Nadal me siguri duhet të thonë “spasiba” (faleminderit në rusisht) për Danil Medvedevin, pasi “ariu rus” arriti të zgjohej plotësisht nga “gjumi letargjik” dhe të tregonte potencialin e tij masiv në finalen e US Openit. Medvedev fitoi Grand Slemin e fundit të vitit, nuk lejoi Novak Gjokoviçin të fitonte Slemin e vitit (pasi kishte fituar Australian Openin, Rolan Garosin e Uimbëlldonin), dhe nuk e lejoi gjithashtu që të thyente rekordin botëror të Grand Slemeve në karrierë. Tenisti serb duhet të kënaqet, për momentin, duke qenë baraz me Federerin e Nadalin me nga 20.
Finalja ishte e fortë në Arenën “Arthër Ejsh” në Flashing Midous të Nju Jorkut, në 2 orë e 16 minuta, por fituese nuk u vu thuajse kurrë në dyshim. E tregojnë setet, 6-4, 6-4, 6-4 për Medvedevin. Rusi 25-vjeçar fitoi Grand Slemin e parë në karrierë pasi kishte arritur finalen në US Open në 2019, e pritet që të fitojë shumë të tjerë si përfaqësues i një brezi të ri tenistësh si Zverev, Cicipas apo Tim. Gjokoviç, ndërkaq, nuk arriti dot 28 fitore, aq sa duhen për të fituar 4 Grand Slemet në një vit, por 27 fitore e një humbje. Ai do të ketë rast në Australian Open për të thyer rekordin e trofeve në karrierë.
Sfidanti.al