Mbreti Lebron në finale apo pretendentë e rinj, kjo është çështja

“Të jesh a të mos jesh, kjo është çështja”, tha atëherë Shekspiri. Lebroni Mbret apo sfidantët e tij të rinj në finalen e NBA-së, është pyetja e sotme e kritikëve të basketbollit. Boston Sëlltiks dhe Klivlend Kavaliers do të luajnë në finalen e Konferencës Lindore, me nënkampionët e NBA-së që mund të mbështeten fort tek ylli i tyre i jashtëzakonshëm, dhe me Sëlltiksat rekordmenë të titujve, që e kanë humbur për shkak dëmtimi, yllin e tyre kryesor. Kajri Irving mund t’i ndjekë vetëm me kostum ndeshjet finale, ndërsa Lebron Xhejms mund të luftojë në parket për të arritur një tjetër sukses.

Do të ishte finalja e 8-të radhazi e NBA-së për Xhejmsin, e katërta radhazi me Klivlendin, pasi arriti 4 me Majemin. Deri tani ai ka 3 tituj, shumë më pak se Bill Rasëll apo Majkëll Xhordan dhe ambicia e tij nuk mund të kënaqet me kaq. Gjithsesi, mbreti i sotëm i basketbollit, do të ketë përballë ekipin e mbushur më shumë se kushdo tjetër me talente të rinj dhe të uritur për lavdi. Do të fitojë klasi dhe përvoja e Lebronit, apo sasia e madhe e talentit dhe rinia e Bostonit? Kjo është çështja!

Sfidanti.al