“Mbreti i dheut” Nadal  flet si humbës: Nuk e ndjeva topin siç duhej…

Rafael Nadali, mbas humbjes (0-2) ndaj tenistit austriak, Dominik Tim, në çerekfinale të turneut të mjeshtrave të Madridit, deklaroi se është shumë i zhgënjyer që humbi. Ç’është e vërteta, Nadali nuk e përballoi dot Timin që luajti mjaft mirë dhe fitoi 2-0 (7-5, 6-3), duke arritur kështu fitoren e tretë ndaj tenistit spanjoll në shtatë ndeshjet e zhvilluara gjithsej mes tyre.

“Të them të drejtën, unë nuk gëzohem shumë, kur fitoj, kështu që as dëshpërohem shumë, kur humbas. Humbja nuk është tragjedi”, deklaroi Nadali që deri tani ka qenë “mbret i fushave të dheut”, duke shtuar: “Dominiku ka një potencial të madh. Ai u tregua më i mirë sesa unë. Ka ditë, kur ju jeni mirë, por ka ditë, kur ju nuk luani mirë. Kësaj herë, unë nuk e ndjeva topin ashtu siç duhej. Sidoqoftë, unë jam i kënaqur nga loja ime, pasi kam arritur të fitojë 50 sete rresht në fushën me dhe”, deklaroi Rafa.

Mbas kësaj humbjeje, Nadali ia la vendin e parë në listën e më të mirëve Rozher Federerit që, në fakt, nuk merr pjesë në turnetë që zhvillohen në fushat me dhe.

Sfidanti.al