Xhejms Harden shkruan një tjetër faqe në historinë e NBA. Basketbollisti i Hjustonit në ndeshjen me Filadelfian shënoi 37 pikë duke regjistruar ndeshjen e 20 radhazi që e kalon kuotën e 30 pikëve për të barazuar një legjendë të kampionatit më spektakolar në botë si Uilt Cambërlein rekordi i të cilit rezistonte që nga viti 1964.
Por ky rekord i Harden nuk i hyri aspak në punë Hjustonit që e humbi ndeshjen ndaj 76ers 93-121. Pas një pjese të parë të ekuilibruar dhe me momente nervozizmi, gjërat ndryshuan në të dytën kur Filadelfia filloi të shkëputej madje arriti të krijojë një avantazh prej 25 pikësh për të mbyllur më pas të gjithë ndeshjen në favorin e saj.
Me ritëm rekordesh luajti edhe Golden Stejt në derbin kalifornian ndaj Los Angeles Lejkërs. skuadra e Uorriors fitoi 130-111, ndërkohë që njeriu i ndeshjes për të u bë Klej Tompson me 44 pikë të shënuara. Basketbollisti i kampionëve të NBA vendosi një rekord përsa u përket gjuajtjeve të sakta brenda një ndeshjeje me 10 të tilla në 11 tentativa. Por në këtë ndeshje, për Golden Stejt u dallua edhe Kevin Durant me 20 pikë, ndërsa Stiven Kërri këtë radhë ia lejoi vetes të frenohet dhe e mbylli sfidën me 11 pikë të shënuara.
sfidanti.al