Marrej ndjek “gjurmët” e Gjokoviçit, nokaut në Romë me Fonjinin

Novak Gjokoviç nuk është i vetmi nga të mëdhenjtë e tenisit që po kalon një periudhë të vështirë. Andi Marrej, numri 1 në botë, ka vendosur “të mos e lerë vetëm” dhe ka vazhduar serinë e humbjeve. Në Turneun e Hapur të Romës, skocezi nuk arriti dot as në çerekfinale, duke u mundur nga heroi i shtëpisë, Fabio Fonjini. Italiani fitoi 2-0 me sete (6-2, 6-4) ndaj një britaniku që nuk mund të njihej, aq keq luajti.

Marrej, kampion në fuqi i turneut, nuk po e gjen dot suksesin në 2017 dhe u bë i pari tenist që eleminohet që në ndeshjen e parë në Romë, që nga Rafael Nadali në vitin 2008. Skocezi, që mbushi 30-vjeç, ka një bilanc zhgënjyes, duke arritur deri në gjysmëfinale në Barcelonë, por duke u eleminuar papritur në Madrid nga kroati Çoriç, numri 41 në botë. Nuk dihet nëse ai do të gjejë formën e duhur për në “Rolan Garos”, ku shpreson të rivalizojë Rafael Nadalin apo Novak Gjokoviçin, tani që Federer vendosi të mos marrë pjesë.

Sfidanti.al