Luiza Gega tejkaloi çdo parashikim në garën në Bolzano, thotë trajneri Stërmasi!

Stërvitja qoftë edhe një ditë të vetme në Bulevardin e Madh të Tiranës i bëri punë. Luiza Gega realizoi edhe objektivin e fundit për 2022-in në një garë jo karakteristike për të, atë të 5 000 metrave në rrugë. Kampionia e Europës doli e dyta në këtë disiplinë në Klasiken e Atletikës të zhvilluar pikërisht në 31 dhjetor në Bolzano të Italisë. E ftuar në konkurrimin e 5 000 metrave në rrugë në kryeqendrën e Tirolit të Jugut, kampionia e Europës nuk zhgënjeu. Gega bëri më shumë sesa maksimumin e parashikuar duke lënë pas etiopianen Kipkemboi, që doli kampione e botës në këtë garë në Botërorin e vitit 2019.

Atletja më e mirë shqiptare dha kohën 15’41”, 8 sekonda pas fitueses, Dauit Sejaum. Në xhiron e fundit, Gega shtoi ritmin duke u ngjitur në vend të dytë, kundër çdo parashikimi, ndërsa trajneri i saj Taulant Stërmasi, thotë se paraqitja e saj ishte shumë e mirë. Fituesja Sejaun, edhe kjo etiopiane, është rekordmene e botës në 5 000 metra dhe mori medaljen e bronzit në këtë konkurrim në Botërorin e kaluar në Ostin të SHBA-së. Në këtë mënyrë, Luiza e përfundoi vitin në aktivitet duke mos dashur të dijë për pushimet. Tashmë, ajo do të vazhdojë fazën përgatitore në Portugali që nga data 5 janar, me synim përgatitjen për vitin 2023, ku objektiv kryesor është Kampionati Botëror në Hungari.

Sfidanti.al