Dy ditë më parë u diskutua nëse ai mund të mendonte tërheqjen. Ljuis Hamilton tha disa fjalë, por më pas mendoi se nuk i tha siç duhet, ndaj edhe “e ndreqi shënjestrën”. “As nuk mbaj mend ndonjëherë të kem diskutuar tërheqjen time nga sporti, – theksoi piloti i Mercedesit, që synon një tjetër fitore në këtë sezon të Formula 1, këtë herë në Azerbajxhan, – unë mund të kem edhe një kontratë tjetër 3-vjeçare, madje të garoj edhe një vit tjetër pas saj, të paktën një vit”.
Hamilton është sot 32 vjeç, por nëse në disa sporte kjo është moshë e vjetër, në Formula 1, të paktën për anglezin, nuk duket e tillë. “Ndihem sikur jam në kulmin e formës së jetës sime, – u shpreh sfidanti për titull, – madje, sikur jam pranë kulmit dhe nuk e kam arritur ende. E rëndësishme është sesa gjatë mund ta ruaj këtë formë”.
Me tre tituj botërorë, ai ka barazuar heroin e tij të fëmijërisë, Airton Senën, të cilit i barazoi edhe rekordin me 65 “pole position”-e. “Unë tani dua arritje të reja, – u shpreh Ljuisi, – nuk kam menduar ndonjëherë për 7 titujt e Shumaherit, por dua të arrij Fanxhon me 5. Veçse, edhe Fetel mund ta bëjë këtë, ndaj do të më duhet të fitoj gjashtë tituj”.
Sfidanti.al