Luçiano Spaleti e ka gjetur moton e tij: Unë jam Interi!

Edhe vetë e di mirë se do të jetë një sezon i vështirë. Ose të paktën, parashikohet i tillë për Luçiano Spaletin në stolin e zhgënjimit më të madh në Itali që nga viti 2010, Interit. i ardhur nga Roma me emër të madh dhe shumë i respektuar, trajneri do të duhet të arrijë objektiva që kurrë nuk ka mundur t’i realizojë në të kaluarën, të fitojë titullin kampion dhe padyshim të synojë edhe Championsin.

Ai ka gjetur, të paktën, që tani një gjë të rëndësishme, moton me të cilën do të punojë. “Unë jam Interi”, është fjalia magjike me të cilën do të përpiqet të motivojë veten dhe futbollistët e tij gjatë 365 ditëve në vijim. “Nuk dua që lojtarët e mi të ndihen si lojtarë të Interit, – tha Spaleti, në një intervistë për mediat italiane, – kjo nuk mjafton. Secili prej tyre duhet të ndihet sikur është Interi. Ata që duan të punojnë me mua, duhet të mendojnë kështu, ndryshe është më mirë të largohen”.

Spaleti nuk dëshiron të thotë gjë për lojtarët e rinj që mund të vijnë (si Bernardeski), por thekson rëndësinë e futbollistëve me përvojë si Borha Valero. “Vështirë të arrish rezultate duke pasur në skuadër vetëm lojtarë 22-23-vjeçarë, – thotë ai, – Borha është një shtyllë në mesfushë”. Ish-trajneri i Romës e quan kualifikimin për në Champions si minimumin e mundshëm të lejuar për një klub i Interi.

Sfidanti.al