Leksion basketbolli, Majemi bëri drejtësi me triumfin ndaj Filadelfias!

Ishin plot 11 lojtarë në parket që shënuan për vendasit, edhe pse asnjëri prej tyre nuk shkëlqeu më shumë sesa të tjerët. E tillë paraqitja e Majemit në përballjen e cilësuar të fortë ndaj Filadelfias, dhe që vinte pas dy humbjeve radhazi jashtë fushe. Gjithsesi, ekipi nga Florida dha një leksion basketbolli duke “shkelur me këmbë” kundërshtarin që kishte në radhët e veta dy nga ata që cilësohen “yje të mëdhenj”, Zhoel Embijdin dhe Xhejms Hardenin. Jo më kot i pari ishte ndër 3 lojtarët më të mirë të sezonit të rregullt në NBA. Sidoqoftë në Arenën e Majemit ata nuk u dukën aspak, duke shënuar me “pikatore” (17 pikë Embijdi e 14 “Mjekra”), si dhe duke ndihmuar pak në tabela dhe për asistet. Mbulimi nga ana e lojtarëve të Majemit ishte shembullor. Xhimi Batler ishte më i miri për ta me 23 pikë, 9 topa në tabela e 6 asistë, Stras shtoi 19 pikë e 10 topa në tabela, , Adebajo 12 pikë e 6 tabela, Vinsent 15 pikë, Oladipo 13, Taker e Herro nga 10 pikë. Majemi bëri drejtësi duke treguar se një ekip që punon gjatë gjithë vitit bashkë, madje ka një projekt disavjeçar, është më i fortë sesa një skuadër që merr dy yje dhe kërkon të fitojë menjëherë me ta.

Sfidanti.al