Lejkërsat, sfidë Golden Stejtit, pas Lebronit duan Leonardin

Një klub i madh mund të ngjitet shpejt në elitë, edhe kur është dobët. i mjaftojnë disa lëvizje të guximshme dhe Los Anxhelos Lejkërsat e bënë të parën, morën Lebron Xhejmsin, ndërsa pritet të bëjnë të dytën. Mediat amerikane, konkretisht ESPN, njofton se në Kaliforni po bëjnë çmos për të marrë edhe yllin e San Antonios, Leonardin.

Do të jetë shumë e vështirë që trajneri Greg Popoviç të bindet për të lëshuar yllin e tij kryesor (që nuk i pati punët mirë vjet), ndaj Lejkërsat po bëjnë plane të mëdha për t’ia dalë. Janë gati të japin lojtarë të tjerë si Ingram, Kuzma apo Hart. Alternativa tjetër quhet DeMarkus Kouzins, qendra shtatlartë që luajti së fundmi me Nju Orlinsin. Pikëpyetja më e madhe ka të bëjë me gjendjen fizike të Kouzinsit.

Nëse Lejkërsat marrin edhe një kampion tjetër, përveç Xhejmsit, atëherë ata mund të kthehen në pretendentë për titull, pra të sfidojnë Golden Stejt Uorriorsin, dominuesen e sezoneve të fundit. Në këtë rast, do të kishim një derbi të Kalifornisë.

Sfidanti.al