“Nuk mjafton gomari që na ngordhi, por nuk na lenë rehat as mizat”. Nuk janë ca fshatarë shqiptarë që i thonë këto fjalë, por kjo shprehje i shkon shumë për shtat tifozëve spanjollë të futbollit. Pa u mbyllur mirë ndeshja me Rusinë, që solli eleminimin nga Botërori, filloi një betejë akuzash mes barcelonistëve dhe madrilenëve për fajtorët e kësaj disfate.
Nga Madridi nuk kanë dyshim, edhe pse është vetëm një pjesë që flet. Fajtorët janë Gerard Pike dhe Luis Rubiales, i pari katalanas “dok”, dhe i dyti presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit. Faji i të parit është se jo vetëm futi përçarje në ekip, me ndjenjat e tij katalaniste, por edhe shkaktoi penalltinë për Rusinë. Faji i të dytit ishte që shkarkoi ish-trajnerin Lopetegi.
Nga Barcelona, ndërkaq, nuk kanë asnjë dyshim, fajtor atje është presidenti i Realit, Florentino Perez, për mënyrën sesi realizoi akordin me trajnerin e kombëtares, i cili u shkarkua për këtë shkak. Këtë akuzë e bëjnë edhe shumë tifozë të tjerë në Spanjë, që nuk janë me Realin. Duket se “El Klasikot” e sezonit të ardhshëm kanë nisur pa filluar ende edicioni.
Sfidanti.al