Lejkërsat në alarm pa Lebronin dhe tani pa Entoni Dejvisin!

Në Arenën e Portlendit ishte vetëm një ekip që pati avantazhin nga fillimi deri në fund. Vetëm në një moment të vetëm dy skuadrat ishin baraz me pikë! Kjo ndodhi në humbjen e Los Anxhelos Lejkërsave ndaj Portlend Trejl Blejzërsave në NBA, ndërsa Lebron Xhejms vazhdon të mungojë për shkak dëmtimi muskulor në bark. Për ta bërë gjendjen edhe më të keqe “mendoi” Entoni Dejvis që luajti vetëm 7 minuta, pasi kishte dëmtim ndërsa ndjeu edhe dhimbje të forta stomaku. Në fund, Portlendi fitoi 105-90, duke lejuar që ylli kryesor, Damien Lilard të ulej në stol në periudhën e katërt. Rasëll Uestbruk, njeriu që duhej të ishte një tjetër lider për Lejkërsat, pati vetëm një gjuajtje të realizuar nga loja në 13 tentativa duke shënuar vetëm 8 pikë e duke marrë vlerësimin -20. Karmelo Entoni udhëhoqi “Liqenasit” me 12 pikë duke ardhur nga stolid he Hauard shtoi 11. Lilard pati 25 pikë për fituesit, Nurkiç shtoi 15 pikë e 17 topa në tabela. Lejkërsat kanë zbritur në vendin e 10-të në Konferencën Perëndimore me 5 fitore e 5 humbje, po aq sa Portlendi.

Sfidanti.al