Legjendari Mani Pakiao dhe i pamposhtur australian, Xhef Horn, ka shumë të ngjarë, që të ndeshen njeri me tjetrin, më 22 prill, në Brisbejn të Australisë që është qyteti i lindjes së Hornit. Për këtë ndeshje, tanimë, është rezervuar stadiumi “Sankorp” dhe kjo ngjarje do të jetë evenimenti më i madh i boksit në historinë e Australisë. Promotorët e të dy boksierëve, tanimë, po zhvillojnë bisedime që ndodhen në përfundim e sipër, ndërsa pritet që, së shpejti, ndeshja në fjalë të konfirmohet edhe zyrtarisht. Sidoqoftë, pritet që edhe qytete të tjerë australianë të konkurrojnë që të jenë mikpritës të ndeshjes. Në karrierën e tij, Xhef Horni ende nuk është përballuar me ndonjë kundërshtar si Mani Pakiao.
“Skalpi” më i rëndësishëm që ka hequr ky ish-mësues australian, është ai i afrikanojugorit Ali Fuenka. Megjithatë, ai ka mendimin se është në gjendje që të bëjë befasinë më të madhe të vitit. “Do të pyesni, ju, nëse është kjo koha e duhur për ta bërë këtë? Rinia është në anën time, pasi Pakiao është 38 vjeç. Sigurisht që ai ka përvojë, por unë kam rininë dhe ajo do të ma sjell mua fitoren. Në ndeshjet e fundit që ka zhvilluar, duket se niveli i tij ka rënë. Sidoqoftë, ai bën lëvizje të mira dhe tregon mjeshtri, por unë mendoj se ai është në rënie e sipër”, thotë boksieri australian Horn.
Sfidanti.al