Leclerc mohon largimin: Dua titullin me Ferrarin

Ferrari mbërrin në Çmimin e Madh të Kanadasë në Formula 1 pas një sezoni me rezultate të vështira, ndërsa në Maranelo ditët e fundit është shtuar tensioni edhe si rrjedhojë e zërave, që kanë qarkulluar për lëvizje të mundshme në skuadër në fund të sezonit.

Me të ardhmen e drejtorit Frederik Vaser që duket në pikëpyetje në fund të sezonit, gjithashtu edhe Charles Leclerc është afruar për një kalim të mundshëm te Mercedesi. Por me mbërritjen në Montreal kanë ardhur edhe përgënjeshtrimet e para, teksa vetë piloti monegask e mohon largimin nga Ferrari.

“Nuk i komentoj zërat se po largohem nga Ferrari. E dini që unë e dua Ferrarin dhe dua të fitoj kampionatin botëror me këtë ekip”, deklaron Leclerc.

Ndërsa i pyetur për të ardhmen e drejtorit Vaser, piloti shprehet kështu: “Janë thashetheme që nuk më pëlqen t’i dëgjoj. Duhet të përqendrohemi aty ku mund të bëjmë një ndryshim, në pistë. Kështu që do ta mbyllim këtë diskutim, nuk kam asgjë për të komentuar. Unë besoj te Fred ashtu siç Fred ka besuar gjithmonë tek unë, le të shpresojmë ta vazhdojmë përpara së bashku”, deklaron 27-vjeçari.


sfidanti.al