Lebroni shkëlqen, por humb; Golden Stejti kthehet “sovran”!

Nuk mjaftojnë as 35 pikë, plus 8 topa në tabela, 11 asistë dhe 2 vjedhje topi. i tillë ishte Lebron Xhejms në fushën e San Antonios, por nuk ia doli të shmangte humbjen e Lejkërsave, madje me shifra pak “të kripura”, 120-133. Bashkë me Xhejmsin, mirë luajti edhe Kuzma me 27 pikë, Boll (13), Kalduell-Poup (12) dhe Mekgi (12), por San Antonio vendase pati më shumë. Spërsat luajtën më shumë si ekip, me Demar Derozanin që shënoi 36 pikë, kapi 8 topa në tabela, e shërbeu 9 asistë. Po ashtu, ai bllokoi dy gjuajtje të kundërshtarit.

Golden Stejti ndërkaq ka bërë kthesë serioze, ndonëse Kevin Durant ishte shumë i “urtë” në fushën e Miluokit. Shënoi vetëm 11 pikë, edhe pse kapi 8 topa në tabela e shërbeu 6 asistë. Gjithsesi, plot 8 lojtarë miq ishin shënues, nga të cilët veçohen Kërri e Tompson me nga 20 pikë. Kampionët fituan 105-95 në Arenën e njërit prej rivalëve kryesorë.

Një tjetër rival për titull, Oklahoma, pësoi humbje në fushën e Çikagos, 112-114, por ylli i saj kryesor “bëri namin”. Rasëll Uestbruk pati një tjetër tripëll dabëll, me 24 pikë, 17 topa në tabela e 13 asistë, duke vjedhur edhe 4 topa.

Humbje, mbrëmjen e fundit pati edhe skuadra me bilancin më të mirë në NBA, Toronto. Raptorsët u mundën në mënyrë dramatike në fushën e Bruklinit, me vetëm 1 pikë diferencë, 105-106, edhe pse Leonard luajti shumë mirë (32 pikë, 3 tabela, 4 asistë, 4 vjedhje topi).

Në renditje, Toronto vazhdon të kryesojë në Lindje me 21 fitore e 6 humbje, ndjekur nga Miluoki (16-8), ndërsa në Perëndim, në vend të parë është Denveri me 17 fitore e 8 humbje, Klipersat kanë bilancin 16-8, ndërsa Golden Stejti është në vend të tretë (18-9).

Sfidanti.al