Lebroni ka 37 pikë dhe Lejkërsat arrijnë fitoren e katërt radhazi

Ishte një mbrëmje ku mund të veçonim dyshen Rasëll Uestbruk-Bredli Bil që ndihmoi Uashingtonin të mundte ekipin më të mirë të NBA-së këtë sezon Juta Xhazin, por le të merremi edhe një herë me Lebron Xhejmsin. “Mbreti i basketbollit” pati tjetër mbrëmje “si ato të vetat” duke i dhënë fitoren Lejkërsave ndaj Sharlotës. Nuk ishte shumë e lehtë, por falë Lebronit suksesi u arrit me rezultatin 116-105 dhe LAL u ngjit sërish në vendin e dytë në Konferencën Perëndimore duke qenë fare pranë liderit Juta Xhaz.

Xhejmsi shënoi 37 pikë, ndërsa shtoi 8 topa në tabela e 6 asistë, një tjetër paraqitje e madhe, ndonëse jo tripëll dabëll. Nga lojtarët e tjerë të kalifornianëve u dallua gjermani Denis Shrëder me 22 pikë dhe 7 asistë. Kjo ishte fitorja e katërt radhazi e Lejkërsave, një ritëm shumë mirë pas Ndeshjes së yjeve, dhe e 6-ta në 8 ndeshjet e fundit. Kjo edhe pse Entoni Dejvis vazhdon të mos luajë. “Ne nuk kemi folur për këtë gjë (për të arritur Jutën), – tha Lebroni, – do të vijë një moment që ne do të duhet ta bëjmë, pse jo? Por, nuk kemi folur për këtë, rëndësi ka të luajmë mirë basketboll dhe të jemi mirë me shëndet”.

Sfidanti.al