Me gjasë e ka thënë për dy rivalët e mëdhenj që ka përballë tani në plej of. Lebron Xhejmsi bëri një deklaratë të fortë se “disa njerëz janë të formuar për këtë moment, dhe disa të tjerë nuk janë”. Lejkërsat janë në epërsi 3-1 ndaj Hjustonit në gjysmëfinalen e Konferencës Perëndimore, dhe duket se fjalët e Lebronit janë për Xhejms Hardenin e Rasëll Uestbrukun. “Kur e mbledh mendjen, trupin dhe shpirtin (mjaftonte mendja!) për plej ofin, nuk kanë rëndësi rrethanat, ambient, pasi duhet të jesh gati për t’u ngritur në lartësinë e detyrës”, – shtoi Xhejmsi.
Një “fshikullim” për dyshen e Hjustonit që më shumë lufton për rekorde individuale, por nuk është e aftë të udhëheqë ekipin drejt titujve të NBA-së. Disa muaj më parë, Majkëll Xhordani u pyet për rekordet e Hardenit dhe Uestbrukut, pra sesa të vështira janë për t’u arritur, dhe ai u përgjigj: “Më e vështirë është të dalësh 6 herë kampion i NBA-së”. Në ndeshjen e fundit, Lejkërsat fituan 110-100, duke kryesuar edhe me 23 pikë epërsi. Lebroni ishte pranë një tripëll dabëlli me 16 pikë, 15 topa në tabela e 9 asiste (plus 3 vjedhje topi), ndërsa Entoni Dejvis pati 29 pikë, 12 topa në tabela, 5 asistë e 2 bllokime gjuajtjesh. Rondo iu afrua tripëll dabëllit me 11 pikë, 10 topa në tabela e 8 asistë, ndërsa Aleks Karuzo shtoi 16 pikë.
Sfidanti.al