Lebron Xhejmsi ndihet më në fund i lumtur që po luan krah Dejvisit!

Prej disa ndeshjesh, basketbollisti qendër është në formë të shkëlqyer. Rikthimi në “shëndet të plotë” i Entoni Dejvisit ka bërë që edhe Lejkërsat t’u kthehen fitoreve dhe tani po e ekuilibrojnë bilancin në NBA, pas një fillimi të tmerrshëm. Dejvis shënoi 55 pikë në fitoren 130-119 në fushën e Uashingtonit dhe mund të thuhet pa frikë se është lojtari më i mirë i momentit. Shtatlarti prej 2.13 metrash shtoi edhe 17 topa në tabela, duke pasur saktësi të madhe në gjuajtje: 73 për qind nga loja, 67 për qind për tri pikë dhe 100 për qind gjuajtjet e lira. Lebron Xhejmsi më në fund po ndihet i lumtur, diçka që e kishte parashikuar që kur Lejkërsat morën Dejvisin nga Nju Orlinsi. Së bashku fituan titullin në 2020, por zhgënjyen edhe për shkak dëmtimesh në dy sezonet më pas. Vetë Lebroni pati 29 pikë, 8 topa në tabela e 6 asistë, ndërsa vazhdon t’i afrohet rekordit të pikëve në NBA që mbahet nga Karim Abdul-Xhabari.

Sfidanti.al