Lebron Xhejms është ylli i sfidës së përvitshme All Star Game. Basketbollisti i Klivlend ishte njeriu i mbrëmjes teksa e udhëhoqi skuadrën e tij të fitojë ndaj asaj të Stiven Kërrit 148-145. Ishte një All star Game ndryshe nga ai që është parë deri tani, pasi nuk u vunë më përballë skuadrat e Konferencës së Lindjes dhe Perëndimit, por ato që u përzgjodhën nga 2 lojtarët më të votuar, Stiven Kërri dhe LeBron Xhejms.
Shikuesit e pranishëm në Staples Center të Los Anxhelesit u bënë dëshmitarë të një ndeshjeje të rivalizuar por që nisi me ritme të ngadalta, pasi skuadrat mendonin shumë për mbrojtjen. Por me kalimin e kohës loja filloi të nxehej dhe filloi të bëhej më spektakolare dhe argëtuese. Diferencat mes Team Lebron dhe Team Steph ishin të vogla pasi skuadrat luftonin pikë për pikë. Pjesa e parë e ndeshjes u mbyll me avantazhin e skuadrës së Kërrit 78-76, ndërkohë që rivaliteti vijoi edhe pas pushimit të saj.
Skuadra me kapiten basketbollistin kampion të NBA, Kërri, në një moment të sfidës u shkëput në 11 pikë, por nuk mundi ta mbajë këtë avantazh. Skuadra e LeBron James reagoi dhe kur kishin mbetur 34 sekonda nga fundi i sfidës e pa veten në avantazh. Rasëll uestbruk më pas i dha mundësisë ekipit të tij të krijojë prej 3 pikësh. Topin e fundit të sfidës e luajti skuadra e Kërrit me këtë të fundit që tentoi të barazojë rezultatin me një gjuajtje nga distanca, por dështoi për meritë të mbrojtjes së bërë nga skuadra e Xhejms me yllin e Klivlendit që u shpall edhe MVP i sfidës me 29 pikë, 10 topa në tabelë dhe 8 pasime.
sfidanti.al