Majkëll Xhordan nuk shkoi dot në plej of vetëm në mbyllje të karrierës, kur ishte 40 vjeç. Lebron Xhejmsit kjo po i ndodh kur ende është në kulmin e formës, edhe pse 34-vjeçar, siç u kuptua qartë në duelin në “Medison Skuer Garden”. Numri 1 i basketbollit botëror hodhi një tjetër hap drejt lavdisë, por edhe një tjetër hap prapa për kualifikimin në plej of.
Ylli i Lejkërsave shënoi 33 pikë në 35 minuta lojë, duke kapur edhe 6 topa në tabela, e duke shërbyer 8 pasime për kosh, por as kjo nuk mjaftoi për ekipin nga Kalifornia. Nju Jork Niks fitoi në Arenën e tij, me rezultatin më të ngushtë të mundshëm, 124-123, dhe Lejkërsat janë thuajse edhe matematikisht të eleminuar nga faza pas sezonit të rregullt.
Rikthimi i talentit të ri, Kajl Kuzma, i dha më shumë potencial ekipit mik, por mungesa në vazhdim e Lonzo Bollit dhe Brandon Ingramit, sërish u ndje. Të pesë lojtarët e formacionit të Nju Jorkut shënuan më shumë se 10 pikë, Madiei pati 28 dhe Dotson 25.
Ndeshja u duk e humbur për vendasit, kur kalifornianët u shkëputën deri në 11 pikë në minutat e fundit, por përmbysën gjithçka me rezultatin e pjesshëm 13-1.
Momenti vendimtar ishte kur gjuajtja e Lebronit, që mund të kishte dhënë fitoren, u bllokua nga kroati Mario Hezonja në sekondat e fundit. Kjo ishte një goditje e rëndë për Lejkërsat që kanë bilancin 31 fitore e 39 humbje, tepër larg Klipersave, ndërsa u mundën nga skuadra më e dobët e NBA-së këtë sezon.
Sfidanti.al