Disiplina përpara talentit dhe nevojës, trafiku i Romës dënon Strakoshën

Do ta marrë malli për grumbullimin dhe udhëtimin. Tomas Strakosha nuk do të mund të jetë pjesë e kombëtares për dy ndeshjet e para eleminatore të Europianit, dhe kjo për shkak të një vonese. Portieri i Lacios nuk kapi dot avionin e prenotuar në Romë, dhe e pati të pamundur për të mbërritur në grumbullim në afat.

Një telefonatë me trajnerin Panuçi mjaftoi për të mësuar se nëse nuk do të paraqitej në orën 19:00 të së dielës, nuk do të pranohej në ekip për takimet ndaj Turqisë dhe Andorrës. Strakosha shpresoi të pranohej të hënën, por kjo nuk u lejua.

Tashmë, kombëtarja do të ketë vetëm një portier me përvojë ndërkombëtare, Etrit Berishën, ndërsa në ekip bën pjesë edhe numri 1 i Partizanit, Alban Hoxha, normalisht më i miri i Superligës. Pritet që Panuçi të thërrasë një tjetër portier për të plotësuar numrin 3, dhe për të mos u ndodhur përpara të papriturave, për ndeshjet e 21 dhe 25 marsit, dhe ky duhet të jetë Selmani i Laçit.

Trajneri i kombëtares ndoqi për Strakoshën të njëjtin parim që pati në rastin e Sokol Cikalleshit, të cilin nuk e pranoi në grumbullimin e tij të parë, në ndeshjet eleminatore të Botërorit ndaj Lihtenshtajnit dhe Maqedonisë, në fund të gushtit e fillimin e shtatorit 2017. Italiani sqaroi se në ekip duhet disiplinë dhe se lojtari nuk mund të vonohet apo të mungojë përveçse në rast dëmtimi, të vërtetuar nga klubi.

Kombëtarja nisi grumbullimin të dielën, ndërsa gjatë javës do të ketë seancat stërvitore deri në ndeshjen ndaj Turqisë, të premten në “Loro Boriçi” të Shkodrës.

Sfidanti.al