E fituan derbin në mbrëmjen e parë të sezonit dhe tani futur në shina. Los Anxhelos Klipersat ishin zhgënjimi i sezonit të kaluar në NBA, por duan që të shkuarën ta lenë pas dhe të shikojnë përpara. Suksesi 120-106 ndaj Oklahomës ishte fitorja e 6-të radhazi e kalifornianëve këtë edicion të rregullt, duke i lejuar që të mbajnë hapin e Lejkërsave në krye të renditjes së Konferencës Perëndimore.
Kauaj Leonard bëri edhe gabime, por sërish pati nivel të lartë duke shënuar 31 pikë, kapur 8 topa në tabela, shërbyer vetëm 2 asistë, por duke vjedhur 3 topa e duke bllokuar dy gjuajtje të kundërshtarëve. Pol Xhorxh shënoi 29 pikë duke qenë disi më i saktë, e duke pasur 7 topa në tabela e 5 asistë. Atyre u ndihmoi Ibaka me 17 pikë dhe 11 topa në tabela, por edhe Batym me 14 pikë. Klipersat duken të fortë, por trajneri kërkon më shumë kontribut nga stoli, pasi në një sezon të gjatë nuk mjafton vetëm pesëshja titullare.
Edhe vjet, Klipersat patën bilanc më të mirë ndaj Lejkërsave, por përfundimisht titullin e fitoi Lebron Xhejmsi me shokë. “Do të kemi periudha të mira dhe të këqija, – tha Xhorxhi, – çdo skuadër do të ketë seri fitoresh, por duhet të mësohemi të fitojmë në momentet e vështira, të përballojmë problemet. Kjo është gjëja kryesore këtë sezon”.
Sfidanti.al