Kthimi i gjigandëve, Lejkërsat dhe Miluoki barazojnë në NBA!

U mundën bindshëm në ndeshjet e para, dhe nisi të kishte dyshime për ta, por fjala e fundit nuk ishte (dhe nuk është) thënë ende. Los Anxhelos Lejkërs dhe Miluoki Baks i fituan ndeshjet e dytë në raundin e parë tëp le ofit në NBA, madje duke treguar diferencë, ndërsa yjet kryesorë në përgjithësi e bënë detyrën. Lejkërsat arritën suksesin e parë në plej of që nga viti 2012, diçka e pamendueshme për një klub kaq të madh. Shifrat ndaj Portlendit ishin 111-88, dhe më i miri në fushë ishte Entoni Dejvis me 31 pikë në vetëm 29 minuta, 11 topa në tabela, 3 asistë, 1 vjedhje topi e 1 bllokim gjuajtjeje. Lebron Xhejmsi këtë herë “e bëri pushim”, me 10 pikë, 6 topa në tabela e 7 asistë në 26 minuta e 40 sekonda në parket. Lejkërsat mbuluan mirë Damien Lilardin që shënoi vetëm 18 pikë, dhe ishte pikërisht kjo që bëri diferencën.

Fitore me diferencë edhe për Miluokin ndaj Orlandos, 111-96.  Janis Antetokumbo shkëlqeu me 28 pikë, 20 topa në tabela e 5 asistë, por u ndihmua nga Bruk Lopez (20 pikë), Bledsou (13) e DiVinsenso (11), ndërsa Kris Midëlton sërish ishte dobët, me vetëm 2 pikë, edhe pse pati 5 topa në tabela e 6 asistë. Më i miri për Orlandon ishte malazezi, Nikola Vuçeviç që shënoi 32 pikë e kapi 10 topa në tabela. Në ndeshjet e tjera Hjustoni mundi Oklahomën 111-98 dhe Majemi kaloi Indianën 109-100, me të dyja skuadrat që kryesojnë 2-0 në serinë e plej ofit.

Sfidanti.al