Konferenca Lindore i përket Lebronit, tani vjen Finalja e Madhe!

Të rrallë janë ata sportistë që kanë vullnetin ta çojnë skuadrën të vetëm drejt fitores. Me shumë gjasë, vetëm Lebron Xhejmsi ka vullnetin ta çojë skuadrën nga fitorja në fitore, deri në Finalen e Madhe të NBA-së. “Mbreti” i basketbollit këtë sezon po luan si Diego Armando Maradona në Botërorin e 1986-ës, kur shkoi drejt titullit thuajse krejt i vetëm. Basketbollistit të Klivlendit i ka mbetur edhe një pengesë, sfida e fundit ndaj Golden Stejtit ose Hjustonit për të përfunduar kryeveprën.

Lebron ishte në fushë për 48 minuta në Arenën e Bostonit, shënoi 35 pikë, kapi 15 topa në tabela e shërbeu 9 asistë (thuasje një tripëll dabëll) dhe i dha fitoren Klivlendit 87-79, duke fituar titullin në Konferencën Lindore me shifrat e ndeshjeve 4-3. Xhejms arriti në finalen e 8-të radhazi në NBA, ndërsa i mbetet të barazojë rekordin e legjendës Bill Rasëll që pati 10 finale radhazi me Bostonin në vitet 1959-1966.

Xhejmsi pati mesataren 33.6 pikë për ndeshje në finalen e Lindjes ndaj Bostonit, dhe ia doli të kapërcente të metat e skuadrës së tij. Klivlendi nuk pati asnjë lojtar që t’i afrohej nivelit të tij, Kevin Lov madje u dëmtua dhe nuk luajti në sfidën e 7-të, por kapiteni mendoi për gjithçka.

Ai luajti të 82 ndeshjet e sezonit të rregullt, për herë të parë në karrierë, ai ka rekordin për minutat në plej of këtë vit, ndërsa një gjë të tillë e kishte bërë në moshën 26-vjeçare, kur ishte duke hyrë në kulmin e karrierës. Lebron ende nuk ka zbritur prej atij kulmi.

Tani mbetet hapi i fundit, Finalja e Madhe. Në NBA ekzistonte dhe ende ekziston bindja se titulli do të vendoset nga Finalja e Perëndimit. Golden Stejt ose Hjuston! Kush fiton, del kampion i NBA-së, pasi asnjë skuadër e Lindjes nuk mund të matet me talentin dhe klasin e tyre. Gjithsesi, Lebron mbetet i qetë, pasi askush nuk mendonte se Klivlendi i tij do të arrinte deri këtu.

Sfidanti.al