Ish-baskebollisti i Lejkërsave të Los Anxhelosit Kobi Brajant i shtoi edhe një çmim tjetër koleksionit të vet, por, tani, krejt të ndryshëm nga ata që ai ka fituar në karrierën e tij të gjatë si basketbollist.
Pesë herë kampioni i NBA-së fitoi çmimin më të lartë në fushë e kinematografisë, “Oskar”, në ceremoninë e 90-të të ndarjes së këtyre çmimeve, për filmin e animuar më të mirë me metrazh të
shkurtër, “I dashur basketboll”.
Kobi Brajant është autor i vetë filmit, më saktë i letrës “I dashur basketboll” që ka shërbyer si bazë për këtë film. Ish-basketbollisti i Lejkërsave, më 2015, përmes kësaj letre, bëri të ditur përfundimin e karrierës së tij dhe, me ndihmën e regjisorit Glen Kin, letra e tij “mori jetë”, madje, i solli atij edhe Oskarin kaq të lakmuar.
“Unë nuk e dija se kjo është e mundur, pasi si basketbollist unë vetëm se e përplasja topin në parket dhe e pasoja ose e gjuaja atë drejt koshit, kurse, këtu, ëshë një terren krejtësisht tjetër. Ky është një nder i madh, unë e falënderoj Akademinë dhe të gjithë ata që punuan me mua për këtë film, ndërsa i shpreh mirënjohjen edhe familjes sime që më mbështeti dhe më frymëzoi që unë të arrija diçka të tillë të madhe”, vuri në dukje Kobi Brajant që, gjatë karrierës së tij 20-vjeçare, ka dalë pesë herë kampion i NBA-së, që, më 2008, u shpall baskletbollisti më i mirë i vitit, ndërkohë që 18 herë ka luajtur në ndeshjet “All Star”, në të cilat katër herë është shpallur basketbollisti individ më i mirë. Tani, kabinetin e trofeve të shumtë të Kobi Brajantit do ta zbukurojë edhe statujëza e Oskarit.
Sfidanti.al