Klipersat fitojnë e pushojnë, a duhet të ketë frikë NBA-ja prej tyre?!

Pol Xhorxhi ishte lojtari që ndenji më gjatë në fushë, 33 minuta, ndërsa ylli kryesor Kauaj Leonard më pak se 32. Los Anxhelos Klipersat vazhduan me rotacionin edhe në gjysmëfinalen e parë të Konferencës Perëndimore ndaj Denverit, e gjithçka shkoi shkëlqyeshëm. Fitorja erdhi madhe e thellë, 120-97, ndërsa Nikola Jokiç, Xhamal Marrej e të tjerët nuk gjetën dot rrugën e duhur ndaj rivalëve më të fortë.

Leonard shënoi 29 pikë, por nuk u lodh shumë me të tjerat, vetëm 2 topa në tabela, 3 asistë, 2 vjedhje topi e 1 bllokim gjuajtjeje. Xhorxh pati 19 pikë e 7 topa në tabela, Morris 18 pikë, e Grin 7 pikë e 7 topa në tabela. Klipersat patën 23 asistë të shpërndarë në plot 10 lojtarë, diçka që flet vetë se trajneri Dok Rivers ka mundësi zgjedhjeje. Nuk dihet nëse skuadra nga Kalifornia mund të quhet favorite për titullin në NBA, ndërsa pretendojnë edhe Lejkërsat e të tjerët, por duket se Klipersat po arrijnë në formën e duhur, në momentin e duhur.

Sfidanti.al