Kevin Durant nuk humb asnjë ndeshje, Feniksi tremb NBA-në!

Vitet kalojnë por Kevin Durant tregon edhe një herë se mbetet një nga më të mirët në NBA. Asnjë ekzagjerim, pasi shifrat e tregojnë qartë këtë. Që pas transferimit te Feniks, Sans nuk kanë humbur asnjë ndeshje me atë në parket. Dhe me Kevin Durant në rolin e liderit me 29 pikë erdhi edhe fitorja e shtatë radhazi. Feniks mundën me përmbysje 119-115 Denver. Kryesuesit e Konferencës së Perëndimit i ndëshkoi vendimi për të lënë pushim Nikola Jokiç dhe thuajse të gjithë titullarët e tjerë. Sans vuajtën, por në periodën e fundit e kthyen rrjedhën e sfidës në favorin e tyre, duke vijuar serinë positive që blindon vendin e katërt në Perëndim.

Nuk munguan surprizat në mbrëmjen e fundit të NBA, pasi Filadelfia u mund me rezultatin 101-129 nga Majemi.

Nuk ishte në formën e tij më të mirë Zhoel Embid. Pretendent për titullin MVP të sezonit të rregullt, ylli i “Siksers” shënoi vetëm 21 pikë. Nga ana tjetër, Baler dhe Herro shënuan nga 24 pikë secili në suksesin e Hits , që në dy ndeshjet e mbetura të sezonit iu duhet edhe një fitore për të siguruar zonën e play-off.

Sfidanti.al