Në momentet më të vështira, një profesionist i madh duhet të tregojë veten. Kevin Durant po e përmbush rolin e tij dhe pritshmërinë e tifozëve, ndërsa Golden Stejti kampion e ka lënë prapa krizën e rezultateve në NBA. Durant shënoi 49 pikë, në një tjetër ndeshje të madhe, duke udhëhequr ekipin në fitoren jo edhe aq të lehtë ndaj Orlando Mexhikut.
Edhe pse u luajt në shtëpi, sërish Golden Stejti e pati të vështirë ndaj një ekipi që ndeshjen e kaluar kishte fituar në Los Anxhelos ndaj Lejkërsave të Lebron Xhejmsit. Durant po sillet pikërisht si një “Lebron” për momentin, duke marrë skuadrën mbi supe e duke e dërguar tek fitorja.
Suksesi ishte 116-110, me Durantin që shënoi 49 pikë, kapi 6 topa në tabela, shërbeu 9 asistë, vodhi 2 topa dhe bllokoi dy gjuajtje. Kapiteni Klej Tompson e ndihmoi duke shënuar 29 pikë, ndërsa Golden Stejti vazhdon të jetë pa Stefën Kërrin, Drejmond Grinin dhe DeMarkus Kouzinsin, të gjithë të dëmtuar. Kampionët kanë tani 15 fitore e 7 humbje, duke qenë në vendin e dytë në Konferencën Perëndimore pas Klipersave.
Sfidanti.al