Maradona mbetet origjinal: E ka fajin presidenti i Argjentinës!

Shtyrja e re e ndeshjes së dytë finale të Kupës Libertadores mes River Plejtit dhe Boka Juniorsit për më 8 ose 9 dhjetor, për shkak të trazirave të dhunshme që paraprinë këtë ndeshje në stadiumin “Monumental” të Buenos Ajresit, ka ngjallur reagime të mëdha në opinionin sportiv në Argjentinë dhe botë. Sikurse dihet, tanimë, kur autobusi me ekipin e Bokas po shkonte në stadiumin e përmendur më sipër, tifozë huliganë të Riverit e sulmuan atë me gurë, duke plagosur disa lojtarë. Si pasojë, ndeshja u shty fillimisht 24 orë, ndërsa më vonë u vendos që ajo të zhvillohet mbas dy javësh,
Midis atyre që reaguan të parët, ishte Diego Maradona legjendar. Të gjithë fajin për trazirat që ndodhën në prag të ndeshjes, ai ia hodhi presidentit të Argjentinës, Maurisio Makri.
“Situata në Argjentinë është katastrofike. Presidenti gënjeu shumë njerëz me premtimet e tij se do të zgjidhte numrin më të madh të problemeve, kurse tani situata nuk ka qenë kurrë më e keqe. Jam jashtëzakonisht i zhgënjyer nga ajo që ndodhi në prag të ndeshjes së dytë finale. Sigurimi i lojtarëve ishte në nivelin zero dhe ai duhej të ishte garantuar nga policia e shtetit, por ku është ky shtet? Presidenti shqetësohet vetëm për sigurinë dhe mirëqenien e tij. Maurisio Makri është bir milioneri, ai kurrë nuk ka jetuar në lagjet e varfra të qytetit dhe nuk e ka idenë se çfarë bëhet atje”, deklaroi Maradona.
Sfidanti.al