Kërri shpëton sërish Golden Stejtin, shënon 40 ndaj Klivlendit

Nuk ishte mbrëmja e tyre më e mirë dhe mjaft nga lojtarët kryesorë nuk dhanë atë që mendohej. Golden Stejti e pati jetën të vështirë në Arenën e Klivlendit, aty ku luante finalet e mëdha të plej ofit në NBA, kur Lebron Xhejmsi ishte aty. Fitorja mezi u arrit në periudhën e katërt 104-89, pasi Uorriorsët shënuan 17 pikë radhazi, ndërsa merita ishte edhe më shumë se zakonisht e Stefën Kërrit. Ylli trupvogël shënoi 40 pikë duke pasur përqindje të lartë realizimi nga loja, mbi 56 për qind për tri pikë. Kërri shtoi 4 topa në tabela, 6 asistë e 2 vjedhje topi, ndërsa krah tij më i miri ishte Nemanja Bjelica me 14 pikë. Drejmond Grin këtë herë shënoi vetëm 4 pikë, ndonëse dha 14 asiste. Golden Stejti është në vend të parë në Perëndim me 13 fitore e 2 humbje, ndërsa Feniksi e ndjek fare pranë me 11 fitore e 3 humbje. Vetë Kërri për momentin ka kaluar Kevin Durantin në renditjen e shënuesve më të mirë të sezonit.

Sfidanti.al