Solskjer mban një “këshill lufte” me 6 yje përpara Uatfordit!

Vendin e punës ende e ka, por asgjë nuk është e sigurt, sidomos me 6 humbje në 12 ndeshjet e fundit. Nuk mund të jetë kështu Mançester Junajtidi, dhe trajneri Ole Gunar Solskjer është përpjekur të bëjë diçka të fundit përpara sesa gjithçka të marrë fund. Norvegjezi, sipas mediave angleze, ka pasur një “këshill lufte” apo “këshill krize” me 6 lojtarë që i quan kryesorë. Këta janë Harri Megajer, Kristiano Ronaldo, Ljuk Shou, Bruno Fernandes, Viktor Lindelof dhe Nemanja Matiç. Besohet se është diskutuar sesi mund të ndryshohet situata tek “djajtë e kuq”, ndërsa jo vetëm që duhet fituar me patjetër ndeshja e së shtunës ndaj Uatfordit, por edhe duhet të forcohet ekipi për të mos ndodhur në të ardhmen turpërime si ato ndaj Liverpulit (0-5) dhe Mançester Sitit (0-2) që të dyja në “Old Traford”.

Sfidanti.al