Stefën Kërri sidomos, por edhe Kevin Duranti, nuk po shpenzohen edhe aq shumë nga trajneri i tyre, Stiv Kerr. Golden Stejt Uorriors ende nuk janë në vend të parë në Konferencën Perëndimore, por kjo nuk po i shqetëson aq shumë kampionët në fuqi të NBA-së, që po bëjnë llogaritë e energjive të harxhuara dhe të kursyera në pritje të fazës vendimtare, plej ofit.
Edhe ndeshja e fundit, ajo në fushën e Atlantës, nuk bëri përjashtim dhe Kërri ishte në fushë për 23 minuta gjithsej. Kjo i mjaftoi gjithsesi që të shkëlqente dhe të shënonte 28 pikë (plus 3 asistë e 2 vjedhje topi), duke ndihmuar ekipin që të fitonte 114-109. Durant u përgjigj po me 28 pikë, veçse në 35 minuta, duke pasur edhe 5 asiste, 1 vjedhje dhe 2 bllokime gjuajtjesh.
Golden Stejti është i dyti në Perëndim, me 49 fitore e 14 humbje, ndaj 48 fitoreve e 13 humbjeve të Hjustonit, ndërsa ka edhe shumë derisa të plotësohen 82 ndeshjet e sezonit të rregullt. Deri tani, Kërri është kursyer ndjeshëm, në krahasim me kampionët e tjerë. Ai ka luajtur gjithsej 1569 minuta në krahasim me 2264 të Lebron Xhejmsit, 2249 të Uestbrukut apo 1928 të Xhejms Hardenit të Hjustonit. Edhe Duranti ka luajtur më pak se këta, 1895 minuta.
Sfidanti.al