Katastrofa e Ferrarit në Çmimin e Madh të Kinës

Çmimi i Madh i Kinës në Formula 1 nisi premtues, por përfundoi në katastrofë për Ferrarin, pasi të dy pilotët e skuadrës italiane u skualifikuan. Lewis Hamilton dhe Charles Leclerc kaluan vijën e finishit respektivisht në vendin e 6-të dhe 5-të, por më pas u përjashtuan nga gara. Megjithatë, kjo nuk ishte e vetmja polemikë e garës. A ka urdhëruar Ferrari që britaniku t’i hapte rrugë shokut të tij të skuadrës? Të shtunën, Hamilton fitoi garën sprint në Shanghai, duke i bërë tifozët e Ferrarit të ëndërronin për një tjetër triumf në Grand Prix-in e së dielës.

Në garën kryesore, shtatë herë kampioni u nis nga vendi i 5-të, i ndjekur nga Leclerc. Të dy kaluan Max Verstappen në xhiron e parë dhe qëndruan në të njëjtën renditje deri rreth xhiros së 20-të, kur Leclerc sugjeroi në radio se kishte më shumë shanse për të arritur George Russell (Mercedes), i cili ishte në vendin e 3-të. Gjatë transmetimit televiziv, u dëgjua një mesazh ku inxhinieri i garës i kërkoi Hamilton-it të linte Leclerc të kalonte. Megjithatë, Ferrari këmbëngul se kjo ishte iniciativë e vetë britanikut. “Nga jashtë mund të dukej si urdhër, por jo të gjitha komunikimet radiofonike u transmetuan në televizion,” tha drejtori i Ferrarit, Fred Vasseur, për gazetën spanjolle Marca.

Në fakt, pati një moment kur Hamilton iu drejtua inxhinierit të tij të garës duke thënë:

“Mendoj se do ta lë Charles të kalojë, sepse kam disa probleme.”

“E kuptova,” u përgjigj Riccardo Adami, me të cilin Hamilton kishte komunikim të rregullt gjatë garës. Megjithatë, kjo strategji nuk funksionoi, pasi Leclerc nuk arriti ta parakalonte George Russell, pavarësisht se ishte brenda një sekonde nga piloti i Mercedes-it dhe mund të përdorte DRS-në. Ferrari do të kishte siguruar 18 pikë me vendet 5 dhe 6, pasi Verstappen i kishte kaluar sërish në pistë. Por pas garës, të dy, Leclerc dhe Hamilton, u skualifikuan, pasi makinat e tyre nuk kaluan verifikimet teknike.

 

sfidanti.al