Sezonin e nisën me humbje, por autokritika erdhi shpejt. Nuk ka përgjigje më të mirë për kritikat dhe dyshuesit sesa fitorja në fushën e kampiones në fuqi të NBA-së, Golden Stejtit. Denveri ia doli 128-123 në Arenën e San Franciskos ndaj atyre që e kanë emrin “Luftëtarët”, dhe më i forti në këtë betejë ishte Nikola Jokiç. Basketbollisti nga Ballkani realizoi një tjetër “tripëll dabëll” duke treguar sesa i kompletuar është, ndonëse trajneri i tij, Mozes Maloun, thekson se mund të përmirësohet edhe më shumë. Jokiç shënoi 26 pikë, kapi 12 topa në tabela e shërbeu 10 asistë, duke fituar duelin me yllin kryesor të vendasve, Stef Kërri.
Përballë ishin lojtari më i mirë i sezonit të kaluar, si dhe lojtari më i mirë i finaleve gjithashtu në edicionin e shkuar. Kërri bëri shumë, shënoi 34 pikë për kampionët e basketbollit amerikan, por vendasit bënë shumë gabime duke e humbur shumë herë topin. Jokiç, një talent i madh nga Serbia, është tepër i kompletuar edhe pse shtatlartë 2.13 metra. Jo më kot ai ka 77 “tripëll dabëlla” në karrierë, me një ritëm më të lartë sesa specialistët Rasëll Uestbruk apo Lebron Xhejms. Shpresa e Denverit dhe e trajnerit Maloun është që Jokiç të tregohet edhe më shumë udhëheqës, për ta kthyer përfundimisht ekipin në një kandidat të madh për titull.
Sfidanti.al