dhe pse statistikat e tij janë të jashtëzakonshme, sërish Nikola Jokiç mund të duhet të kënaqet me vendin e dytë në renditjen për Lojtarin më të mirë të sezonit, por gjithsesi arriti një rekord të madh. Kapiteni i Denverit dhe i Serbisë u bë i treti basketbollist në historinë e NBA-së që arrin një tripëll dabëll në sezon. Kjo, pas kontributit në fitoren që skuadra nga Kolorado arriti kundër Memfisit me shifrat 117-109. Jokiç pati 26 pikë, 16 topa në tabela e 12 asistë, ndërsa mesatarja e sezonit për të është 29.8 pikë, 12.8 topa në tabela e 10.2 asistë për ndeshje.
Më herët, këtë e kishin bërë vetëm Oskar Robertson një herë, dhe Rasëll Uestbruk katër herë. Gjithsesi, 30-vjeçari është I pari lojtar qendër që arrin tripëll dabëllin sezonal dhe kjo flet qartë për madhështinë e tij. Nëse, do të shënonte 47 pikë në ndeshjen e fundit të sezonit të rregullt, atë ndaj Hjustonit, ai do të arrinte një tripëll dabëll me 30 pikë. Këtë gjë e kanë bërë nga një herë vetëm Robertson dhe Uestbruk. Gjithsesi, sipas faqes zyrtare të NBA-së, Jokiç nuk do ta fitojë çmimin e lojtarit më të mirë të edicionit, pasi ky titull do të shkojë për yllin e Oklahomës, Shai Gilgës-Aleksandër. Tridhjetëvjeçari ia ka dalë tri herë më parë të jetë basketbollisti i vitit. Sidoqoftë, objektivi kryesor për të mbetet titulli I dytë kampion në NBA, diçka që nuk do të jetë e lehtë, pasi Denveri për momentin është vetëm në vendin e katërt në Perëndim, pas Oklahomës, Hjustonit dhe Lejkërsave.
sfidanti.al