Jokiç dhe Embijd shkëlqejnë, por Lejkërsat vazhdojnë theqafjen!

Filadelfia fitoi një duel për kreun në Lindje, dhe Denveri ia doli në Perëndim, ndërsa skuadra e lavdishme nga Los Anxhelosi nuk është “kërkundi”. Rezultatet ishin interesante në NBA me Filadelfian që mundi Çikagon 121-106 me 43 pikë e 14 topa në tabela të Zhoel Embijdit. Xhejms Harden ndihmoi me 16 pikë e sidomos me 14 asistë, ndërsa skuadra nga verilindja ka fituar 6 nga 7 ndeshjet e fundit. Nikola Jokiç e tregoi edhe herë veten në nivelet më të larta ndërsa ndihmoi Denverin për të fituar një sfidë gjithashtu për kreun, Golden Stejtin. Jokiç realizoi një tripëll dabëll me 32 pikë, 15 topa në tabela e 13 asistë dhe Denveri fitoi 131-124. Basketbollisti serb ka 11 tripëll dabëlla në 23 ndeshjet e fundit dhe 18 këtë sezon, një rekord në NBA. Ndërkaq, Lejkërsat pësuan një tjetër humbje, këtë herë në fushën e San Antonios. Dueli, që dikur ishte për titull, përfundoi 117-110 për vendasit, ndërsa miqtë nuk e patën Lebron Xhejmsin.

Sfidanti.al