E kemi njohur dhe është bërë i shquar në pistë. Në rolin e trajnerit të atletikës, Taulant Stërmasi është sot padyshim tekniku më i njohur në Shqipëri, por në profilin e tij ka edhe diçka tjetër. Përveç punës së përditshme me kampionen e Europës, Luiza Gega, dhe me atlete të reja të së ardhmes, Stërmasi ka pasion dhe aftësi edhe në menaxhim biznesi, ndaj ka marrë përsipër këtë rol në një sport tjetër. Këtë të premte, boksi shqiptar do të ketë një turne ndërkombëtar të nivelit të lartë në Sallën Sportive “Feti Borova”, dhe organizatori është pikërisht Stërmasi.
“Më njohin nga atletika, dhe ajo është pasioni im, por profesionin e kam për menaxhim biznes, – thotë Stërmasi, – duam që boksierët tanë të bëjnë sport, të ngjiten lart dhe të fitojnë, të jenë rentabël. Kjo ndodh vetëm në tregun ndërkombëtar, pasi tregu ynë nuk ofron gjë”.
Në ring do të ngjiten 10 çifte, dhe mbi gjysma janë luftëra të forta, e bëhet fjalë për Nelson Hysën, Alban Beqirin, Denis Nurjen etj. Gjithsesi, menjëherë pas të premtes, Stërmasi kthehet në rolin e trajnerit të Luiza Gegës. “Të dielën kemi një garë 5 000 metra në rrugë në Francë, dhe synojmë të thyejmë rekordin kombëtar dhe atë ballkanik, mos harroni se rekordi ballkanik përfshin shumë shtete, mes të cilëve edhe Ukrainën”, – përfundon ai.
Sfidanti.al