Shumë spekullim me togfjalëshin “Ndeshja e Shekullit”, por një Mejkuedhër-Pakiao do të ishte vërtet diçka speciale për ata që duan të shohin boks. Për fat të keq, asgjë nuk pritet të ndodhë. Boksieri amerikan e hodhi poshtë një mundësi që të ketë revansh me filipinasin, duke deklaruar se e ka mbyllur një herë e mirë karrierën. “Unë nuk kam nevojë për para, – tha Mejuedhër për gazetën amerikane “USA Today”, – shumë boksierë e mbyllin karrierën dhe kthehen përsëri pasi kanë nevojë për para, kurse unë jo. U bënë 300 milionë dollarë në ndeshjen ndaj Pakiaos, por po ju them se unë nuk jam ky që jam për shkak të parave”.
Një revansh i mundshëm i sfidës së peshave të mesme u përfol pasi Mejuedhër ishte spektator në ndeshjen e Pakiaos ndaj Vargasit, por amerikani u shpreh se shkoi ta ndiqte sfidën sepse donte të bënte diçka të veçantë. Gjithsesi, në SHBA po përflitet diçka tjetër. Mejuedhër mund të marrë një ftesë për t’u ndeshur me kampionin e dyfishtë të arteve marciale të përziera, MMA, Konor Mekgregor.